Aktivitet trajnues me temë: “Organizatat terroriste, veprat me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin"

Shkolla e Magjistraturës, më datë 3 prill 2024, zhvilloi aktivitetin trajnues mbi veprat me qëllime terroriste, me temë: “Organizatat terroriste, veprat me qëllime terroriste, financimi i terrorizmit, fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera që financojnë terrorizmin, rekrutimi i personave, stërvitja dhe kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur për lidhje me terrorizimin, si dhe nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” . 

Ky aktivitet u drejtua nga:

Ekspert:  Sandër Simoni

Lehtësues: Rudina Palloj

 

Qëllimi i këtij trajnimi ishte avancimi i njohurive të pjesëmarrësve lidhur me veprat penale me qëllime terroriste, me kuadrin ndërkombëtar dhe kombëtar, me praktikat e mira ndërkombëtare, me memorandumin e Rabat-it për praktikat e mira e të efektshme për gjykimin e veprave penale  kundër terrorizmit, si dhe praktikat e mira vendase dhe çështje të trajtimit të veprave penale në fushën e terrorizmit.

 

Gjatë këtij aktiviteti:  

  • U analizuan rastet praktike në gjykim në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • U diskutua gjykimi i veprave penale kundër terrorizmit; marrja dhe vlerësimi i provave, mbrojtja  e dëshmitarëve, viktimave, provave dhe mbikëqyrja elektronike gjatë hetimeve dhe bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar. U mor në analizë zhvillimi i praktikave dhe procedurave në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet e antiterrorizmit me qëllim përdorimin e provave të siguruara në vendet e origjinës së terrorizmit. 
  • U inkurajua përdorimi i praktikave më të mira dhe më të efektshme kombëtare dhe ndërkombëtare në gjykimin e rasteve praktike në lidhje me këtë temë. 

 

Në aktivitetin trajnues u përdorën metoda të kombinuara të shpjegimit, diskutimit, analizës, duke përfshirë analiza teorike dhe praktike të shoqëruara me shembuj praktikë, ku pjesëmarrësit ishin aktiv gjatë gjithë kohës, duke marrë pjesë në diskutim me njëri-tjetrin dhe me panelin drejtues. 

Në këtë trajnim morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.